Historiku

1945 -

Fillimet e para

Historiku

Rrugëtimi i dijes dhe përkushtimit në Landovicë

ShFMU “26 Marsi” është shkollë fillore dhe e mesme e ulët, me lokacion në fshatin Landovicë, komuna e Prizrenit. Ecuria e ndërtimit të kësaj shkolle është histori më vetë. Andaj po i veçojmë disa nga momentet vendimtare që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e këtij tempulli të dijes, me një rëndësi të jashtëzakonshme për qytetin e Prizrenit.

1945 – Fillimet e mësimit në Piranë

Fëmijët e fshatit Landovicë kanë filluar të shkollohen që nga viti 1945. Pasi që në atë kohë në fshat kishte pak fëmijë, ata u detyruan që mësimet e para t’i ndjekin në një ndërtesë të adaptuar të xhamisë së fshatit Piranë, ku për mësues të parë kishin të ndjerin Abdurrahman Buqaj.

Në fshatin Piranë, fëmijët udhëtuan gjerë në vitin 1950. Duke parë vështirësitë dhe mundin e fëmijëve që udhëtonin nga 8 km në këmbë në të dy drejtimet, plaku (tashmë i ndjerë) Ali Ibrahim Gashi, vendosi që dhomën e tij të pritjes (odën) ta lejojë për shkollë të fshatit. Në këtë dhomë mësimi u mbajt gjerë në vitin 1956.

1993 – Ndërtimi i shkollës së re

Aksioni për ndërtimin e shkollave në këtë fshat ka filluar qysh moti. Në vitin 1957, fshatarët e ndërtojnë një ndërtesë shkollore në mes të fshatit, e cila përbëhej nga një dhomë mësimi dhe një zyrë për mësuesit. Mësimi në këtë shkollë zgjati vetëm një vit, pasi kishte mungesë të kuadrit mësimor. Nxënësit qenë të detyruar përsëri të udhëtojnë, por kësaj radhe mësimet i ndoqën në fshatin Arbanas (Sërbicë e ulët). Kjo zgjati gjerë në vitin 1960, kur fshatarët me një aksion tjetër vullnetar ndërtojnë një ndërtesë shkollore me dy dhoma mësimi dhe një zyre për mësuesit. Në vitin 1961 në fshatin Piranë pati filluar punën edhe cikli i lartë i shkollës fillore, kështu që nxënësit e kësaj shkolle i vazhdojnë mësimet përsëri, duke udhëtuar nga 8 km në këmbë çdo ditë. Kjo zgjati gjerë në vitin 1993, ku fshatarët e vyeshëm të Landovicës përsëri me mjete e punë vullnetare e ndërtojnë këtë ndërtesë shkollore që është krenaria e fshatit tonë. Ndërtesa përbëhet prej tetë dhomave të mësimit, një salleje të arsimtarëve, një zyreje për drejtorin si dhe kati i dytë (nënkulmi) që është paraparë për kabinete për lëndë të ndryshme. E gjithë kjo i shtyri fshatarët që për një mbarëvajtje sa më të mirë të mësimit në shkollë, në vitin 1997 t’i drejtohen Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, me kërkesën për pavarësinë e shkollës prej shkollës amë “ Zenel Hajdini “ në Piranë. Ministria gjegjëse e dha lejen dhe vendosi që nga 01.09.1997 shkolla të punojë si e pavarur dhe e emëroi me emrin “ ARDHMËRIA “. Drejtor i parë i kësaj shkolle u emërua Islam Thaçi, profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Në vitin 1999 si çdo vend në Kosovë, po ashtu edhe shkollën e fshatin tonë e përfshiu flaka e luftës dhe si rrezultat i saj, më 22 mars të vitit 1999 shkolla ndërpreu përkohësisht veprimtarinë e saj edukativo – arsimore. Përveç 7 Dëshmorëve që ranë për lirinë e Kosovës, u vranë edhe të tjerë, prej tyre pleq, plaka, të rinj e fëmijë. Të gjithë të rinjtë ishin edhe ish nxënës të kësaj shkolle. Në shkollë pushtuesit serb bënë demolime të mëdha,iI thyen të gjitha xhamat e shkollës, dyert e dritaret. Shkatërruan ato pak mjete konkretizimi që kishim. Pas luftës, më 2 shtatot të vitit 1999, shkolla jonë përsëri e filloi punën për arsimimin e brezave të rinj, kjo fal ndihmës së donatorëve të ndryshëm shkolla u renovua dhe u përgatit për punë. Vlen të përmendet shoqata gjermane “Help” e cila investoi për rregullimin e shkollës sonë, për renovimin e shkollës, shoqata franqeze “Education sans frontiers” e ndihmoi shkollën me inventar shkollor dhe shoqata “Lotët e Kosovës”, pajisi nxënësit me çanta shkollore.

2022 – Emri i ri dhe zhvillimi bashkëkohor

Në tetor të vitit 2016, si ushtrues detyre i drejtorit të shkollës caktohet z. Besnik Berisha mësimdhënës i lëndëve Kimi-Fizikë, i cili mandatin e plotë si drejtor i shkollës e merr me 19.04.2017. Më 20 dhjetor 2021, fillon ndërtimi i aneks – objektit dhe renovimi i objektit ekzistues për të krijuar kushte më të mira si në mësimdhënie ashtu edhe në mësimnxënie, projekt ky i financuar nga Komuna e Prizrenit. Me iniciativën e Kryesisë së Fshatit dhe përkrahjen e KDSh – së, u kërkua nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, që të ndryshohet emri i shkollës nga ShFMU “Ardhmëria” në ShFMU “26 Marsi”, kërkesë kjo që u miratua nga MAShT dhe me vendimin numër 2 – 200 të datës 10.02.2022, u zyrtarizua emri i ri, duke hyrë në fuqi nga 1 shtatori i po këtij viti.